Sot është 22 vjetori i ditës së një prej masakrave më të mëdha që ushtria serbe kreu ndaj popullsisë Kosovë, ku humbën jetën 45 shqiptarë. Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe solli ndërhyrjen e NATO-s, në konfliktin mes kosovarëve dhe serbëve.

Shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte ngritur shqetësimin për krimet kundër njerëzimit që po kryheshin në Kosovë, gjë që solli ndërhyrjen e misionit ushtarak ndërkombëtar, i cili solli më pas edhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Në përkujtim të kësaj dite në varrezat e Reçakut kanë shprehur nderimet e tyre të gjithë liderët vendas.

Historia e masakrës së Reçakut

Më 15 janar 1999 fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 06 e 30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bastisin fshatin.

Banorët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë. Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar shumë banorë e më pas i vranë ata.