Aksion i madh në Kosovë, 35 të arrestuar, mes tyre 12 policë

19/09/2020 - 22:26

Policia e Kosovës ka njoftuar se të premten rreth mesnatës ka realizuar një aksion të madh në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, ku u arrestuan 35 persona të dyshuar, në mesin e tyre 12 zyrtarë policorë, si dhe u sekuestruan aparate të lojërave të fatit dhe prova materiale që dyshohet se ishin përdorur në aktivitete kriminale.

Po ashtu, në këtë aksion, njoftohet se u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

“Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale”, thuhet në komunikatë.

Në një konferencë për media, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, ka dhënë detaje rreth këtij operacioni. Sipas tij, Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë 35 persona, në mesin e tyre edhe 12 policë.

Po ashtu, Maloku ka njoftuar se janë konfiskuar edhe një sërë materiale të dyshimta.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, pas një hetimi të gjatë gati 1-vjeçar, ka realizuar aksion në këtë pjesë të Kosovës konkretisht në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës si dhe në rajonin e Prishtinës dhe rajone të tjera. Nga ky aksion me urdhër të prokurorisë deri më tani janë arrestuar 35 të dyshuar prej tyre 12 zyrtarë policorë, kontrabandistë e pronarë të kazinove”, ka thënë Maloku.

Ky aksion u realizua me bashkëpunim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor, njoftohet mes tjerash.

Në mars të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm, duke shfuqizuar edhe Ligjin e deritashëm për lojërat e fatit.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit, kishte ardhur, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, ishin vrarë dy persona.

Edhe pas vendimit të qeverisë në atë kohë, Policia e Kosovës, ka njoftuar se në aksione të ndryshme, ka hasur dhe arrestuar persona të cilët ishin dyshuar se me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, kanë organizuar lojëra të fatit.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ka më shumë se një muaj prej hyrjes në fuqi të Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, e për moszbatim të masave anti-C

Sot është afati i fundit kur Gjykata Speciale duhet të konfirmojë apo të rrëzojë aktakuzat e ngrita për Presidentin e Kosovës Hashim Thaç

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka folur pas takimit me Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limajn.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe

Veton Rrecaj, avokat i Labinot Grudës, të dyshuarit për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit deklaroi se klienti i tij n

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë nuk ka asnjë rast të vdekjes nga COVID-19.

Pas raportimeve në media se babai i këshilltares Hajrie Gashi është i përfshirë në vjedhjen e mbi dy milionë eurove, zëvendëskryeministrj

Gazetarja e “Abc News“, Linda Karadaku ka siguruar ekskluzivisht dëshminë e një burri të dhunuar seksualisht nga ushtria serbe në Kosovë

Ministrja e Financave të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një konference për mediat ka njoftuar se në Thesarin e Shtetit janë kryer 4 transak