Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës e Italisë, thanë të martën përmes një deklarate se nuk mbështesin asnjë kandidat ose parti politike në Kosovë në procesin e formimit të qeverisë së re.
Ata iu referuan një deklarate të përbashkët të bërë më 30 gusht të vitit të kaluar në të cilën thuhet se “ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”.
“Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e shpërndarë të martën.
Kjo pason njoftimin e një dite më parë të bërë nga lëvizja Vetëvendosje e cila paralajmëroi për sot një takim të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës në prani të diplomatëve perëndimorë.
Të hënën udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës i dhanë fund pa marrëveshje një takimi në kuadër të përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje për formimin e qeverisë së re.