Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka komentuar arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes sot para Kuvendit.

Ai ka thënë se i vjen keq për atë se çfarë u ka ndodhur deputetëve kosovarë.

Por, i pari i ekzekutivit ka deklaruar se deputetët e Vetëvendosjes duhet të paraqiten para Gjykatës sa herë që ata thirren.

“Sot ndodhi arrestimi i deputetëve të Kosovës. Tani e vërteta është se kundërshtonim marrëveshjet që mbesin rrezik për Kosovën. Ne mendojmë që ai rebelim i atëhershëm ka sjellë të mira. Ndërsa qëndrimi i Aleancës atëherë ka qenë që meqenëse është kundërshtim politik e jo ligjor. Unë mendoj që deputetët që kanë kundërshtuar nuk kanë pse të mos paraqiten në Gjykatë, ata nuk kanë bërë asgjë që meriton me u fsheh. Të gjithë e kemi bërë me vetëdije kundërshtimin”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërsa, sa i përket bllokadës së punës së Kuvendit që nuk po arrin të mbajë seancë normale, Haradinaj ka thënë se duhet konsensus. Sipas tij, partitë politike ende nuk i ka lëshuar sikleti i zgjedhjeve.