Bashkimi Evropian ka shfaqur sot pritjet se pas përfundimit të procesit zgjedhor në Kosovë, shumë shpejt do të formohet qeveria, në mënyrë që puna e rëndësishme të përparojë pa shtyrje të mëtejme.

“Presim nga të gjithë politikanët që, pas përfundimit të procesit zgjedhor, të sigurojnë formimin e shpejtë të qeverisë, në mënyrë që puna e ndërlidhur për zhvillimin ekonomik, promovimin e sundimit të ligjit, dialogut me Beogradin me ndërmjetësimin e BE-së dhe liberalizimi i vizave të përparojnë pa shtyrje të mëtejme”,ka njoftuar zëdhënësja Maja Kocijancic.

Ndërkohë njohës të çështjeve të integrimeve evropiane gjatë ditës kanë treguar se nëse Qeveria formohet pa vonesa, mund të ketë efekte pozitive në procesin e liberalizimit, sikurse që mund të ketë efekte negative zvarritja.

Por, nuk përjashtohet as mundësia që procesi të ngecë edhe në Bashkimin Evropian, ku besohet se te disa vende anëtare të BE-së, nuk ka shumë vullnet që Kosovës t’i hiqen vizat.

Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha në krijimin e Qeverisë së re.