Dorëheqja e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka shkaktuar pikëpytje të mëdha në skenën politike të Kosovës, ndërsa ende nuk dihet se çfarë do të ndodh me fatin e qeverisë. 

Vetë Haradinaj sugjeroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa kompetenca për zgjidhjen e ngërçit i takon presidentit Thaçi, pasi ky i fundit të ketë ftuar të gjitha palët në një dialog konstruktiv. Burime për RTV Ora nga Partia Demokratike e Kosovës, bëjnë me dije se kjo forcë politike është e gatshme të shkojë në zgjedhje, por vendimin përfundimtar do ta marrë pas një procesi dialogu me partnerët për të shqyrtuar mundësitë e ecjes përpara. 

Ndërkaq, pritet të shihet se çfarë qëndrimi final do të kenë edhe forcat e tjera të kualicionit, përfshirë AKR, Nismën dhe Pakicat. Nga ana tjetër Vetëvendosja dhe LDK që janë në opozitë kanë kërkuar vazhdimisht zgjedhje të parakohshme ndaj nuk besohet të ketë një ndryshim qëndrimi nga ana e tyre. Gjithashtu një impakt në këtë situatë mund të bëj edhe PSD e Shpend Ahmetit. 

E ndërsa koha duhet t'i japë përgjigje këtyre zhvillimeve Haradinaj mbetet ende në pritje të udhëzimeve nga Haga për paraqitjen e tij. Ditën pas dorëheqjes, kryeministri e kaloi me familjen e tij, sikurse tregon edhe kjo fotografi e fiksuar në rrjetet sociale. 

Një tjetër zhvillim i orëve të fundit ishte edhe thirrja për herë të parë në Hagë e ish-anëtarit të shtabit të UÇK, Jakup Krasniqi, ndonëse nuk ka shumë detaje në sfondin e kësaj ftese. Vetë zoti Krasniqi ka qënë një kritik i rolit të Gjykatës Speciale. Gjithsesi në një postim në rrjetet sociale, ai deklaroi se do të shkojë në Hagë për të ndriçuar të vërtetën historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.