Kryetari i Lidhjes së Social-Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, në një intervistë për gazetën Blic të Serbisë, ka deklaruar se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, dhe se këtë realitet Serbia duhet ta pranojë në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht problemi.

Ai shtoi se duke e njohur Kosovën, “neve na shtohen garancitë ndërkombëtare se interesat kulturore dhe ekonomike të Serbisë në Kosovë do të jenë të mbrojtura, e mbi të gjitha të përcaktuara”, transmeton Gazeta Express.

“Kosova nuk është Serbi, por një vend ku jetojnë disa njerëz që kanë njësi të plotë shtetërore”, tha Çanak.

Çanak, i cili është nga Vojvodina, e jo shpeshherë ka kërkuar më shumë autonomi për krahinën veriore të Serbisë, ka thënë se edhe Vojvodina duhet të zhvillohet duke e pasur pasurinë e vet, e jo të ardhurat e saj të menaxhohen nga “disa zyra në Beograd”.

Ai gjithashtu tha se ka bashkëpunim të ngushtë me liderët e opozitës, por më së shumti bashkëpunon me liberalin, Çedomir Jovanoviq.