“Unë pres që qeveria e re të vendosë këto objektiva në qendër të programit të saj”, kështu është shprehur Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn në një reagim në “Facebook”, pas një takimit në Bruksel, me kryetarin e Vetëvendosjes, dhe kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë është çështje thelbësore për perspektivën evropiane të Kosovës dhe tërë rajonit.

Komisionari Hahn tha se me Kurtin kanë pasur një shkëmbim interesant të pikëpamjeve, dhe se janë pajtuar që reformat evropiane janë rruga e vetme për të siguruar perspektivë për njerëzit e Kosovës, në veçanti të rinjtë.

Bashkimi Evropian si lehtësues i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke shpresuar se me formimin e qeverisë së re të Kosovës, do të mundësohet vazhdimi i dialogut përmes heqjes së taksës ndaj mallrave serbe, e cila ka qenë arsye e ndërprerjes së tij.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Kurti ka thënë se “jemi të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011”.