Presidenti Hashim Thaçi duket se dialogun Kosovë- Serbi e do vetëm me ndërmjetësimin e Shtëpisë së Bardhë në SHBA.

Thaçi tha se ka besim të plotë te SHBA kurse për përfaqësuesin e BE, Miroslav Lajçak tha se nuk ka kontakte dhe nuk ka për të marrë pjesë në asnjë negociatë që do të udhëhiqen nga ai.

“Kam besim të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se këtë proces duhet ta përmbyllim suksesshëm, siç kanë përmbyllur suksesshëm shumë marrëveshje. Pa një rol udhëheqës të SHBA’ve s’mund të përmbyllen problemet mes Kosovës dhe Serbisë. Është inkurajues çdo vullnet që tregohet nga BE’ja, por të themë të drejtën personalisht unë s’jam në kontakt me z. Lajcak. Z.Kurti është në kontakt me të që 3 muaj, dhe nuk e di sa larg kanë shkuar treshja Kurti-Lajcak-Borell. Kosova është vend i lirë, dhe përballë do të kemi dy negociator që nuk e njohin Kosovën si shtet, madje Lajcak ka votuar edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Personalisht si president i përgjigjem cdo ftese sa i përket Samiteve nga Merkel apo Macron, por nuk e kam vullnetin që të participojë në procesin e negociatave që udhëheq Lajcak,” ka thënë presidenti Thaçi.