Marrëdhëniet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë u dukën të lëkundura që pas rifillimit të bisedimeve me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur pakënaqësi me kryeministrin Avdullah Hoti për shkak të mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve dhe lënien anash të anëtarëve të saj në këtë proces.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë për Zërin e Amerikës se koalicioni qeverisës nuk ka probleme të funksionimit por pakënaqësitë lidhen me një pozicion siç thotë parimor dhe politik rreth bisedimeve.

“Dhe e dyta kemi kërkuar dhe kërkojmë diçka që është në programin tonë qeverisës përfshirjen e SHBA-së në këtë proces për shkak se pa involvimin, lidershipin e drejtpërdrejt të SHBA-së dialogu nuk do të ketë sukses sikurse nuk ka me dekada sukses në dialogun që ka ndodh. Pra nga vjen kjo, kjo vjen nga përvoja jonë në qeverisjen Haradinaj në veçanti me dialogun që e ka menaxhu zonja Mogherini kur çështjet si territori, shkëmbimi dhe temat tjera nuk kanë qenë saktësisht të artikuluara kundër nga Bashkimi Evropian, këto rrethana, këto dy pika janë edhe pika programore të cilat duhet të respektohet dhe do të respektohen”, tha zoti Tahiri.

Ai thotë se kjo mënyrë e bisedimeve me Serbinë po e vendos Kosovën në një pozicion jo të favorshëm dhe kjo është vërejtur edhe në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Andaj edhe me kryeministrin Hoti kemi biseduar edhe komunikimi që është me ekipin e dialogut ka të bëjë me një temë, të ulemi, të krijojmë një marrëveshje, një marrëveshje për njohje reciproke, një marrëveshje finale dhe të mos hyjmë në një proces të mundësive për fotografi, të takime që pastaj i përdorë presidenti Vuçiç me inskenimet e tij në dëmtim të imazhit të Kosovës dhe vet kryeministrit Hoti sikurse që e bëri në takimin e fundit”, tha ai.

Zëri i Amerikës ka kontaktuar edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike për të komentuar raportet e fundit ndërmjet koalicionit qeverisës, por deri në përgatitjen e këtij materiali ishin paqasshëm.

Zyrtarë të kësaj të fundit kanë paralajmëruar takime me zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të sqaruar kritikat ndaj kryeministrit Hoti.

Analisti Arton Demhasaj thotë se rifillimi i bisedimeve në Bruksel dhe emërimi i Skender Hysenit si bashkërendues i Kosovës për procesin e bisedimeve ka çuar në përçarje ndërmjet partnerëve të koaliciniot. Ai thotë se janë dy skenarë që mund të ndodhin aktualisht.

“Skenari i parë është që duke marr parasysh që qeveria Hoti ka pak numra dhe nuk po ka mundësi të shtyj politika të caktuara tutje për shkak se koalicioni është shumë i brishtë dhe nuk i kanë votat e mjaftueshme mund të lind nevoja dhe me gjasë edhe mund të futet edhe Partia Demokratike në një koalicion ku mund ta shohim një koalicion të gjitha partive politike përjashto Vetëvendosjen, kjo edhe për arsye se eventualisht arrihet një marrëveshje finale në mes të Serbisë dhe Kosovës që më pas një mundësi një shumicë të mjaftueshme parlamentare për të ratifikuar atë marrëveshje që e dimë që duhet 80 vota në Kuvendin e Kosovës, ndërsa skenari i dytë i mundshëm që poashtu ka gjasa me ndodh është që të shkohet drejt asaj që LDK ta në një mënyrë ta evitoj nga koalicioni AAK-në dhe Nismës Socialdemokrate dhe ta përshijë PDK-në në një koalicion pra ta shohim një qeveri tjetër LDK-PDK ku AAK dhe NSIMA do të mund mbetëshin jashtë si parti opozitare”, tha ai.

Zoti Demahasaj thotë se megjithatë këto skenarë do të varen nga pozita e presidentit të vendit.

“Problemi qëndron tek pozita e presidentit qoftë nga Partia Demokratike që mund ta synojë një pozitë të tillë, ta mbaj ose edhe tek Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës e cila mund të synojë ta marr këtë pozitë të lartë shtetërore. Pra krejt ajo se çfarë do të ndodh, a do të futet Partia Demokratike në koalicion apo do të hynë vetëm Partia Demokratike dhe të del Aleanca dhe Nisma mbetet tek çështja se si do të merren vesh për pozitën e presidentit”, tha zoti Demhasaj.

Kryeministri Avdullah Hoti mori detyrën më 3 qershor duke pasuar në këtë post ish kryeministrin Albin Kurti i cili u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars që ishte ngritur nga Lidhja Demokratike. Koalicioni i ri qeverisës i kësaj partie me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave, që nga krijimi është përballur edhe me mungesë të votave të mjaftueshme në parlament./VOA