Albin Kurti nuk lejohet të kandidojë në zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë pjesërisht ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo ka vërtetuar pjesën ku KQZ-ja ia ndalon pjesëmarrjen në garen zgjedhore pesë deputetëve që kanë dënime të formës së prerë, përfshirë këtu edhe Albin Kurtin.

Në vendimin e PZAP-së thuhet se: “Refuzohet pjesërisht apeli i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa VËRTETOHET vendimi Nr 244-2021 datë 22.01.2021 i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me seli në Prishtinë, në pjesën e refuzimit të rekomandimit të ZRPPC-së, për certifikimin e kandidatëve për deputet të subjektit politik Levizja Vetëvendosje dhe atë: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi Murtezi”.

Në PZAP u dorëzuan nëntë kërkesa nga subjektet politike për moscertifikim të kandidatëve për deputetë. Mes tyre përfshiheshin Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate.

Ato dorëzuan ankesa pasi KQZ vendosi që të mos lejohen që të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidatët për deputetë që kanë dënime të formës së prerë nga gjykatat, në tri vitet e fundit.