Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka reaguar pas dorëheqjes së parevokueshme nga posti i Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke theksuar se me keqaardhje kishte mësuar për thirrjen e tij nga Gjykata Speciale.

Thaçi tha se me vendimin e Haradinajt për dorëheqje u njoh nga mediat.

“Me keqardhje mësova që Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, njëherësh këshilltar i imi, ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe disa ish-eprorë të tjerë të UÇK-së. Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij.”

Kreu i shtetit tha se respekton vendimin e tij dhe si President i Republikës së Kosovës siguroi se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, por nënvizoi se beson “në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë.”

“As vlerat e lirisë sonë dhe as luftën e UÇK-së nuk mund ta cenojë askush!”

Një mesazh mbështetje për Haradinaj dhe përballjen e tij me Gjykatën Speciale erdhi edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Besoj fuqishëm se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe poashtu besoj se pafajësia e z. Haradinaj do të provohet edhe kësaj radhe."