DW: Sot pritet përfundimi i marrjes në pyetje të Thaçit në Hagë

16/07/2020 - 09:29

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vendosi të heshtë edhe pas ditës së tretë të marrjes në pyetje nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Hagë. Në ditën e tretë ai dëshmoi prej orës 13:00 deri në ora 19:00, por duket se prokurorëve nuk u kanë mjaftuar as tri ditë dëshmi. Sipas burimeve të afërta me prokurorinë, pritet që nesër të jetë dita e fundit e marrjes në pyetje. Kjo do të thotë se ish-lideri politik i UÇK do të jetë personi, që është intervistuar më së gjati prej rreth 200 personave që janë ftuar në Dhomat e Specializuara – si të dyshuar apo dëshmitarë të mundshëm.

Heshtja e presidentit për opinionin publik

Kreu politik i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës parakaloi para gazetarëve dhe rreth 30 mbështetësve të tij që kishin ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Belgjika, në shenjë mbështetjeje, pa thënë asnjë fjalë. Burimet tona thonë se presidenti u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të prokurorëve.

Në ndryshim prej tij, shumë të dyshuar të tjerë për krime, si kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi dhe të tjerë, janë mbrojtur në heshtje para prokurorëve. Intervistimet e tyre kanë zgjatur vetëm pak kohë, por ka pasur dhe të tillë, që si presidenti, kanë vendosur që para prokurorëve të paraqesin argumentet e tyre. Deri tani në Dhomat e Specializuara në Hagë janë ftuar për t'u marrë në pyetje rreth 200 vetë – të dyshuar për krime, apo në cilësinë e dëshmitarëve të mundshëm.

Thaçi parakalon pa thënë asnjë fjalë para gazetarëve dhe rreth 30 mbështetësve të tij që kishin ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Belgjika

Dy ditë më parë, më 13 korrik, presidenti është marrë për herë të parë në pyetje nga prokurorët. Në ditën e parë ai foli edhe para gazetarëve, dhe tha se dita e parë ka kaluar me shpjegimin e „teknikaliteve" mes prokurorëve dhe mbrojtësit të tij Pierre Richard Prosper. Ndërsa para hyrjes në godinën e Dhomave të Specializuara të hënen, në gjuhën angleze, ai tha se në Hagë ka ardhur për të respektuar atë për të cilën ka ëndërruar dhe luftuar – "një Kosovë të lirë e të pavarur, të mbështetur tek të drejtat e barabarta për këdo, një shoqëri multietnike dhe sundimi i ligjit”.

Gatishmëri për përballje me drejtësinë

Presidenti Thaçi, kreu i PDK Kadri Veseli (në kohën e luftës shef i shërbimit sekret në UÇK) dhe të tjerët janë akuzuar nga prokuroria për krime lufte, krime kundër njerëzimit, tortura dhe përndjekje të shqiptarëve, serbëve, romëve dhe të tjerëve në kohën e luftës së Kosovës dhe më pas. Thaçi, Veseli dhe të tjerët fajësohen nga prokurorët për 100 vrasje, ku janë vrarë qindra persona.

Prokurorët e kanë dorëzuar aktakuzën tek gjykatësi i procedurës paraprake më 24 prill 2020. Gjykatësi i procedurës paraprake ka në dispozicion gjashtë muaj për të konfirmuar apo për të hedhur poshtë aktakuzën e prokurorit. Prokurori ka vendosur që ta publikojë aktakuzën vetëm tri ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë (të pëanifikuar për 27 qershor), me shpjegimin se Thaçi dhe Veseli "po bëjnë presion ndaj Gjykatës dhe po angazhohen në mënyrë sekrete për shuarjen e saj”.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga ambasadori Richard Grenell është shtyrë. Ndërsa presidenti Thaçi është kthyer nga rruga për në Uashington dhe kumtoi se është i gatshëm të përballet me drejtësinë.

Gjykata Speciale për krimet e luftës të UÇK-së është themeluar nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015. Ajo është bërë funksionale në vitin 2016. Kryetare e saj është Ekatarina Trendafilova.

Vetë presidenti Thaçi ishte ai i cili në vitin 2015 këmbënguli më së shumti për themelimin e Gjykatës Speciale, me shpjegimin se nëse nuk themelohet nga parlamenti i Kosovës, ajo do të themelohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Gjykata Speciale është themeluar mbi bazën e akuzave të paraqitura nga eurodeputeti zviceran Dick Marty, i cili pretendon se disa nga krerët e UÇK kanë qenë të përfshirë në trafik me organe njerëzore, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Presidenti Thaçi është përmendur më shumë se 20 herë në raportin e tij.

Presidenti Thaçi ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqje me fjalët se do të dorëhiqet nga posti i presidentit, vetëm nëse aktakuza kundër tij konfirmohet nga gjykatësi. Pritet që marrja e tij në pyetje të përfundojë ditën e enjte, vetëm dy orë para se në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, për të vazhduar dialogun e ngrirë në vitin 2018. /DW

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në Kosovë ka bërë me dije se 16 pacientë kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në Kosovë ka bërë me dije se 15 pacientë kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar të martën urdhër-arrestin ndaj deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë për

Një vajzë e mitur, e moshës 7-vjeçare, ka vdekur ditën e sotme në Prishtinë. Víktima kishte shkuar në njërën nga klinikat private për të

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 477 mostra të ma

Një tjetër politikan është infektuar me koronavirus në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të martën për shkarkim të bordeve të përkohshme të drejtorëve në katër ndërmarrje publike të Kosovës, p

Bashkërenduesi i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni tha të hënën në Uashington se Prishtina e sheh rolin e Uashingtonit në

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka thënë se ndodhemi në situatën më të rënduar që nga fillimi i pandemisë me COVID-19.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, tha se ka kërkuar praninë e përhershme aktive të SHBA-së në try