Tetë persona të vdekur si pasojë e koronavirusit janë regjistruar të shtunën e 4 korrikut në Kosovë. Deri tani në Kosovë, si pasojë e këtij virusi, kanë vdekur 66 persona.

Në raportin e së premtes, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kishte njoftuar se deri atë ditë ishin regjistruar 58 vdekje. Të shtunën në mesditë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjashtë pacientë kanë vdekur deri në orën 17:00, ndërsa në mbrëmje IKSHPK-ja ka regjistruar edhe dy vdekje të tjera, për të çuar në 66 numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend.

E shtuna ishte dita rekorde edhe sa i përket rasteve të reja me COVID-19, me 178 raste të reja. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur në 3.356. Të shtunën janë shëruar 50 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 1874. Raste aktive janë 1416.