Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka marrë asnjë dozë vaksine. Kanë mbetur vetëm tre ditë nga fundi i muajit, që ishte paralajmëruar si kohë për mbërritjen e dozave të para të vaksinës antiCovid, por ende asgjë.

Ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur edhe më herët se po punohet për sigurimin e vaksinës, por ende sot nuk ka asnjë datë të saktë.

“Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19 në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës sonë. Pres që sipas planit për vaksinim anti-COVID të hartuar nga Instituti të zbatohen nga të gjithë nivelet e përkujdesjeve shëndetësore duke filluar nga ajo primare. Puna jonë është transparente, e përqendruar dhe e pandalshme”.

Ndërkohë, shumëkush fajëson pikërisht ministrinë për paaftësinë në sigurimin e vaksinave.

“Sigurimi i një doze të vaksinës është jashtëzakonisht problem për gjithë botën, megjithatë është e pafalshme që të gjitha vendet e rajonit kanë filluar t’i kenë dozat e para dhe t’i imunizojnë kategoritë e rrezikuara, ndërsa, Kosova ende asnjë dozë të vetme nuk e ka. Problem më i madh se kjo mendoj se është mos transparenca e këtij procesi”.

“Kjo tregon se kjo qeveri përveç se ka qenë jolegjitime ka qenë edhe e papërgjegjshme karshi kësaj gjendjeje që jemi ballafaquar me pandeminë. Pra, këta me 10 shkurt kanë deklaruar se kemi siguruar 1.2 milionë vaksina, tash jemi në përfundim të muajit shkurt dhe ende nuk shihet asgjë”.

“Për fat të keq qytetarët e këtij vendi janë braktisur dhe janë lënë në mëshirë të fatit si nga Qeveria Kurti dhe Hoti të cilët e kanë administruar dhe menaxhuar çështjen e pandemisë në vend”.

Çdo ditë e kaluar pa vaksina, e bën akoma më të rëndë krizën e shëndetit por edhe atë të ekonomisë në Kosovë.