Edhe Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, është thirrur nga Gjykata Speciale për t'u marrë në pyetje. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një shkrimi të gjatë në Facebook.

“Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike”, shkruan politikani kosovar.

Sipas tij, është fatkeqësi që në vend që Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara.

“Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, shkruan më tej ai.