Egjipti, një nga vendet me influencë të madhe në botën arabe mund ta tërheqë njohjen për Kosovën, njofton Klan Kosova.

Kështu bëhet e ditur në një lajm të medias serbe Vecernje Novosti që i referohet deklarimeve të zyrtarëve serbë.

Lufta diplomatike e Serbisë në raport me Kosovën nuk është ndaluar asnjëherë. Serbia pos që vazhdon lobimin për mosnjohjen e Kosovës e ka zgjeruar atë edhe në influencimin e shteteve që tashmë e kanë njohur Kosovën që t’i tërheqin njohjet.

Sipas Novostit ndryshimi i udhëheqësve të Egjiptit ka sjellur edhe ndryshim të politikave ndërkombëtare dhe tani ky shtet do ta rishqyrtojë njohjen për Kosovën.

Arsye e tërheqjes së njohjes sipas të njëjtit artikull është edhe fakti se Egjipti e Kosova nuk kanë zhvilluar fare raporte diplomatike dhe marrëdhëniet i kanë në nivele tepër të ulëta.