Rëndohet akoma më shumë bilanci i viktimave me origjinë shqiptare nga tërmeti në Turqi.

Viktimat me origjinë nga Kosova janë pjesëtarë të një familje: Nazmije Dograjan 64 vjeçe, Hatixhe Dogruja 70 vjeçe dhe burri i saj Bajram Dogruja 73vjeç.

Shqiptarët nga Kosova, të larguar nga Prishtina që në 1956 dhe të vendosur në Izmir nuk mundën që të mbijetojnë nga tërmeti tragjik, pasi rrënojat i zunë poshtë nga shembjet e godinave.

Ndërkohë që në spital në gjendje të rëndë ndodhet djali i Nazmije Dograjas, Malik Tahirleri.

Autoritetet turke kanë konfirmuar se të paktën 35 persona kanë vdekur në Izmir, ndërkaq, autoritetet greke kanë thënë se dy persona kanë vdekur në ishullin grek Samos.

Tërmeti, që ndodhi më 30 tetor në detin Egje, ishte 7,0 shkallë të Rihterit tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara.

Ekipet e shpëtimit në Izmir po vazhdojnë punën për të nxjerrë të mbijetuar të tjerë që gjenden nën rrënoja. Sipas autoriteteve turke, 180 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.