Ish-zyrtari i policisë së Kosovës, Fadil Syleviçi, është gjetur i vdekur ditën e sotme pranë liqenit të Badovcit. Lajmi është publikuar nga mediat në Kosovë, teksa është konfirmuar edhe nga policia.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka sqaruar se policia sapo ka dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar edhe me familjarët e viktimës.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, tha Krasniqi.

Siç njoftoi Krasniqi, mjekët në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull”, u shpreh zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Emri i Syleviqit, është përmendur nga i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti, i cili më parë kishte rrëfyer për vrasjet e pasluftës në Kosovë. Mehmeti akuzoi Syleviqin se ka urdhëruar disa vrasje gjatë kohës, kur grupi i tyre kriminal ishte duke funksionuar.

Ai ka qenë i thirrur si dëshmitar nga Tribunali Special në Hagë.