Durim Hadri dhe Suada Hadri janë çifti nga Prizreni që u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, mëngjesin e së mërkurës.

Ata kishin ardhur nga Suedia para dy ditësh për të kaluar pushimet ne vendin e tyre, por mëngjësi i ditës së sotme do të ishte dhe mëngjesi i tyre i fundit.

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se çifti është vrarë më armë zjarri, pasi aty u gjet arma e cila më pas u konfiskua nga policia.
Rreshteri i Policisë, Vesel Gashi, i cili raportoi rastin për Gazetën Ekspress tha se nuk kanë përfunduar akoma hetimet, por dyshohet se është vrasje.

“Ekziston dyshimi se është vrasje, por ende nuk kanë përfunduar hetimet e ekspertëve. Po presim për një raport më të detajuar”– ka thënë Gashi.

Gjithashtu dyshime të njëjta ka pasur edhe Prokuroria Themelore në Prizren që ishte në vendin e ngjarjes duke thënë se në trupat e viktimave ka plagë të shkaktuara nga armë zjarri:

“Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shiqimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale”– ka thënë ndër të tjera Prokuroria.

Mësohet se trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekspertizë, ndërsa policia nuk ka dhënë ende informacion për të dyshuarit që mund të kenë marrë pjesë në vrasje.

Ndërkohë Policia po e trajton rastin si një “Vdekje e dyshimtë”.