Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, ka thënë se Gjermania do të jetë afër qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për të shërbyer si bashkëbiseduese në punën serioze të ekzekutivit dhe vendosjen e standardeve në qeverisje.
“Kosova ka qeveri të re, të votuar nga shumica e nevojshme prej 61 deputetëve. Qeveria e kaluar, me pjesëmarrje të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur standarde në qeverisje, transparencë, luftim të korrupsionit dhe nepotizmit. Këto janë standardet të cilat presim të fillohen”, ka deklaruar Heldt përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Sipas tij, Kosova përballet me sfida të mëdha, që lidhen me pasojat e pandemisë së koronavirusit.
“Ne do të jemi aty si bashkëbisedues për Hotin dhe qeverinë e tij për punë serioze, në agjendën serioze: Dialog të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, pa korrupsion, sundim të ligjit, pa nepotizëm, qeverisje me vendosje të standardeve. Për Kosovën dhe njerëzit e saj”, ka shtuar mes tjerash Heldt.
Hoti u zgjodh kryeministër i ri i Republikës së Kosovës në seancën e 3 qershorit të Kuvendit të Kosovës, me 61 vota pro, 24 kundër dhe një abstenim.