Pas takimit me eurokomisionerin Johannes Hahn, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës nuk do të hiqet. Sipas tij, kjo taksë do të anulohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Hahn kërkonte një zgjidhje për gjendjen e krijuar me taksën. Ia dhashë shpjegimet se zgjidhja ekziston, se ekziston mundësia e një marrëveshje për zgjidhjen për njohje, ku do të përfshihet edhe tregtia e lirë. Po ashtu, ne do të respektojmë vendimin e Qeverisë dhe ky vendim mund të anulohet me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Haradinaj deklaroi se mund që të hyjë në agjendë e punimeve për votim.

“Ne kemi mbajtur shpresë dhe mbajmë shpresë që mund të ndodhë që të hyjmë në agjendë e këshillit të ministrave, megjithatë në BE ka skepticizëm”, tha ai.

Eurokomisioneri Hahn udhëtoi sot në Kosovë për të gjetur një zgjidhje lidhur me taksën 100% që Prishtina zyrtare ka vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes.