Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka ndërmend të tërhiqet nga tatimi me 100% për mallrat serbe. Përpara gazetarëve, Haradinaj theksoi se taksa nuk do të hiqet kurrë, nëse Serbia nuk njeh Pavarësinë e Kosovës. 

“Sot e heqim nëse ka marrëveshje për njohje, por edhe mund të mos e heqim asnjëherë derisa Serbia s’është e gatshme të na njohë”.

Pavarësisht se kundër taksës janë edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore, Haradinaj nuk sheh asnjë problem në këtë pikë. “Kjo s’ka të bëjë me Amerikën, por ka të bëjë me Rusinë e me Serbinë. Jemi në kufi me Serbinë e me Rusinë. Se cila është fytyra e Serbisë e shihni nesër me Putinin në Beograd”.

Në mbledhjen e qeverisë të martën, Haradinaj tha se mosnjohja e Kosovës është në dëm të Serbisë që rrezikon të humbë afatin e mundshëm për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2022. Beogradi thotë se pa heqjen e taksës nuk merr pjesë në dialogun e Brukselit.