Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Edi Rama ka qenë i angazhuar në projektin e ndarjes së Kosovës.

“Ka qenë i angazhuar kryeministri Rama në opsionin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, i njohur si shkëmbim i territoreve – por që do të rezultonte me ndarje të Kosovës”, – tha ai.

Haradinaj shtoi se që në momentin kur Rama shpeshtoi takimet dhe vizitat me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç nisi ideja për ndarjen e Kosovës.

“Zotëri Rama ka qenë i kyçur që në inicimin e kësaj mënyrë të marrjes vesh jo vetëm Kosovë-Serbi, por edhe një marrëveshje paqeje shqiptaro-serbe”, – është shprehur ai.

Ai ka pranuar se ka pasur “përplasje” me Ramën në shtëpinë e Thaçit kur ishin mbledhur në një darkë të ftuar nga presidenti aktual.

“Çmimi i kësaj marrëveshje do të ishte ndarja e Kosovës” – ka thënë Haradinaj teksa ka shtuar sesi e kjo ide ishte kundërshtuar nga vetë ai si kryeministër, por edhe nga vendet e fuqishme të botës.

Rama e ka paditur Ramush Haradinajn pikërisht për disa deklarata të kryeministrit të Kosovës pak kohë më parë dhe e ka depozituar atë në Gjykatën e Prishtinës.