Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se projektligjet për ushtrinë do të hidhen për miratim në parlament më 14 Dhjetor dhe ky është vendim sovran në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Ai i bëri këto komente në parlamentin e Kosovës, një ditë pasi që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi kundër një vendimi të tillë.

Sekretari i NATO-s tha të enjten se ka biseduar në telefon me kryeministrin Haradinaj dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ka theksuar që të dyja palët duhet të përmbahen dhe të shmangin çdo deklaratë apo veprim provokues.

“Me zotin Haradinaj, e ngrita çështjen e planit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Nënvizova se një veprim i tillë është në kundërshtim me këshillën e shumë aleatëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja negative për të ardhmen e integrimeve euro-atlantike. E nënvizova që nëse ndryshon mandati i Forcës së Sigurisë, NATO-ja duhet ta shqyrtojë shkallën e angazhimit me këtë forcë”, shkroi ai.

Ndërsa me presidentin serb, tha se ka biseduar “për nevojën e uljes së tensioneve aktuale. U kam përkujtuar të dyve se bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë rruga e vetme për vendosjen e paqes afatgjatë dhe qëndrueshmërisë në rajon. NATO-ja mbetet e përkushtuar për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovës në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it të mandatar nga Kombet e Bashkuara”, theksoi sekretari Stoltenberg.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha të mërkurën se “përdorimi i ushtrisë” është një nga mundësitë nëse Kosova vazhdon me planet për formimin e ushtrisë së saj, që sipas Beogradit mund të drejtohet kundër pakicës serbe.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se krijimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka të bëjë me militarizim të vendit, por kjo sipas tij është një propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë.

“Nuk i dedikohet krijimi i ushtrisë sulmit në veri është gënjeshtër e tyre ashtu siç dinë t’i bëjnë dhe bëjnë gabim që frikësojnë popullin serb. Ne do të ndërmarrim veprime sqaruese për serbët e Kosovës. Dje isha në Plemetin, do të shkoj në çdo vend të Kosovës që të sqaroj që propaganda që u jepet nga Serbia është e qëllimshme, e rrejshme dhe viktimizon serbët”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se Serbia po bën përpjekje në mënyra të ndryshme për të paraqitur Kosovën si vend jo normal. Ai tha se për formimin e Ushtrisë së Kosovës janë zhvilluar biseda me të gjitha palët e interesuara.

“E vërteta është që aleanca e NATO-s po ashtu ka peshë të madhe në mendime të veta në ato që i shprehë për Kosovën dhe është prezente në Kosovë, mirëpo Kosova është e sigurt që nuk do të sjellë asnjëherë në rrezik marrëdhëniet me aleancën e NATO-s. Ne ende nuk kemi aplikuar për anëtarësim në NATO dhe kur të aplikojmë është shumë me rëndësi që të kemi sqarimet e duhura për secilin vend anëtarë të NATO-s”, tha ai.

Më 18 Tetor, parlamenti i Kosovës miratoi në parim projektligjet për zgjerimin e përgjegjësive të Forcës së Sigurisë, duke shmangur ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e saj në ushtri të Kosovës, ndryshime që u pamundësuan për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe deputetëve serbë.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u tensionuan kohët e fundit pasi që qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj fushatës së saj kundër shtetësisë së Kosovës./VOA