Prokurorët e Hagës kanë hartuar një dosje voluminoze ndaj drejtuesve të të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë aktakuzë listohen Hashim Thaçi, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Sipas këtij njoftimi, presidenti Hashim Thaçi është i përfshirë në shumë krime lufte e pengim të drejtësisë.

Për rrjedhjen e këtyre informacioneve, ka komentuar edhe vetë presidenti i Kosovës.

Në një përgjigje për T7, Hashim Thaçi, ka thënë se zhvillimet e fundit sa u përket dosjeve të speciales janë tejet shqetësuese.

“Zhvillimet e fundit ku pretendohet sa ka rrjedhje të informatave të klasifikuara nga këto institucione janë tejet shqetësuese sepse dëmtojnë arsyen kryesore mbi të cilën ishte vendosur zhvendosja e këtyre institucioneve jashtë Kosovës. Po që se vërtetohet se informatat e klasifikuara që kanë rrjedhur janë autentike, pres që autoritetet përkatëse të këtyre institucioneve të kryejnë hetime penale në lidhje me këtë ngjarje dhe që personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara, kushdo qofshin ata, të dalin para drejtësisë”, është shprehur Thaçi në T7.

Presidenti kritikon edhe përfshirjen e OVL-së së UCK-së në gjithë këtë histori.

Sipas presidentit, kjo mund të shkoj në dëm të të akuzuarve potencial.

“Përfshirja e Organizatave të Dala nga Lufta e UÇK-së në këtë çështje – duke keqpërdorur qëndrimin e tyre publik kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – ka rrezik që të shpërqendroj vëmendjen nga nevoja për të hetuar personat përgjegjës për këtë rrjedhje të informatave të klasifikuara”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka ftuar Organizatat që të ndalojnë publikimin e këtyre dosjeve, pasi sipas tij kjo situatë mund të shkoj në dëme të të pandehurve potencial.

“Kjo rrjedhje e informatave të klasifikuara mund të paragjykoj procedurat penale që do të mund të zhvillohen atje dhe në dëm të të pandehurve. Kjo për shkak se kjo ngjarje mund të (keq)përdoret si pretekst për kufizuar të drejtat e të pandehurve gjatë procedurës penale, qoftë duke u kufizuar atyre të drejtën e lëvizjes apo duke ju kufizuar atyre të drejtën për të marrë në pyetje në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse dëshmitarët kundër tyre”, ka thënë Thaçi.