Hoxhaj: Nëse nuk liberalizohen vizat, do ta kushtëzojmë dialogun

12/11/2018 - 09:14

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet ta kushtëzojë dialogun me Serbinë, nëse nuk liberalizohen sa më parë vizat për qytetarët e Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hoxhaj ka folur edhe për taksën që Kosova i ka vendosur mallrave serbe, duke thënë se mund të ketë edhe masa të tjera nëse Serbia vazhdon të sillet me agresivitet ndaj Kosovës. Hoxhaj ka folur edhe për mungesën e njohjeve dhe pasivitetin e diplomacisë kosovare në këtë drejtim. Zëvendëskryeministri Hoxhaj, thekson se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme as në vitin 2019.

Radio Evropa e Lirë: Z.Hoxhaj, jeni cituar të keni thënë se Kosova duhet të tërhiqet nga dialogu nëse nuk liberalizohen vizat. Si e keni menduar vendosjen e këtij, kushtimisht thënë kushti, karshi Bashkimit Evropian?

Enver Hoxhaj: Kam menduar që do të ndodhë një lloj politike e kushtëzimit, jo një lloj tërheqje. Në deklaratat e mia asnjëherë nuk ka pasur formulime për tërheqje, por nëse Bashkimi Evropian nuk është në gjendje që t’i përmbushë premtimet në raport me liberalizimin e vizave dhe ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, nga kriteri i parë deri në kriterin e 95-të, dhe tash i mbetet BE-së, që të marrë vendim sa i takon mundësisë së lëvizjes së lirë në vitin 2019. Atëherë pse do të duhej t’i besojmë BE-së që BE-ja do të ketë instrumente që ta bindë Serbinë që ta njohë Kosovën. Duhet të jemi realist në një qasje të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Një lloj kërcënimi procesit të dialogut e ka bërë edhe pala serbe, duke thënë se nuk do të ketë bisedime, përderisa nuk tërhiqet vendimi për taksën ndaj importeve serbe. A do ta përfillë Qeveria e Kosovës këtë kushtëzim nga Beogradi?

Enver Hoxhaj: Beogradi a do të tërhiqet nga dialogu apo jo është çështje e tyre. Ne do ta marrim pjesë në dialog. I besojmë dialogut. Por, vendosja e taksës është diçka tjetër. Nëse Serbia bën agresion politik mbi Kosovën, siç ka ndodhur në vitin 2017 dhe në vitin 2018, është e natyrshme në sjelljen politike të shteteve që ne të vendosim masa ekonomike dhe përmes masave ekonomike, ta dëmtojmë tregun serb. Nëse Serbia bën tregti me Kosovën rreth 400 milionë euro në vit dhe ky buxhet përdoret për të tërhequr njohje, ky buxhet të përdorët për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, ky buxhet përdoret për ta goditur imazhin e Kosovës dhe sovranitetin e Kosovës, është një sjellje normale që vendet të marrin veprime të tilla.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te dialogu, presidenti Hashim Thaçi ka folur në vazhdimësi për një marrëveshje me Serbinë e cila do të përfshinte në vete edhe korrigjimin e kufijve, që sipas shumëkujt, nënkupton shkëmbimin e territoreve. Por, sa në fakt është reale të pritet që Kosova dhe Serbia të merren vesh për kufirin mes dy shteteve?

Enver Hoxhaj: Mendoj që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë disa elemente. Elementi i parë i saj është njohja e ndërsjellë. Nuk ka temë më të rëndësishme në raportet bilaterale Kosovë-Serbi, se sa njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB. Nëse Serbia ka vullnet politik që kjo të ndodh, ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë më Serbinë. Natyrisht që ka edhe tema të tjera. Mund të jenë çështje ekonomike, çështje tregtare, mund të jenë tema energjetike, të sigurisë, mund të jenë shkaqet të cilat e kanë sjellë luftën dhe konfliktin në Kosovë, dëmet e luftës, fati i të të pagjeturve.

Unë mendoj se është herët të merremi me epilogun e dialogut. Është e pamundur ta dimë se çka do të përshinë marrëveshja në mes të të dy vendeve. Tema kryesore apo boshti kryesor i marrëveshjes, duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Problemi që e ka Kosova me Serbinë, ka të bëjë me sovranitetin e saj. Problemi që e ka Kosova me Serbinë, ka të bëjë me mosnjohjen e realitetit të Kosovës së pavarur.

Radio Evropa e Lirë: Diplomacia serbe është po zhvillon një fushatë mjaft të ashpër kundër njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtarë. Çfarë po bëjnë institucionet e Kosovës karshi këtyre veprimeve?

Enver Hoxhaj: Njëri prej veprimeve që kemi ndërmarrë javën e kaluar ka qenë vendosja e një takse në mallrat serbe, por unë besoj që do të ndërmerren edhe veprime tjera, por veprimet shtetet serioze i marrin si veprime dhe nuk i deklarojnë paraprakisht. Përtej kësaj, unë jam i mendimit që politika e jashtme e Kosovës, duhet ta parandalojë një qëllim që e ka politika e jashtme serbe dhe qëllimi i politikës së jashtme serbe ka qenë që çdo herë që Kosova të mos ketë fare politike të jashtme. Që i gjithë raporti jonë me bashkësinë ndërkombëtare të kalojë vetëm përmes dialogut.

Për ta zgjeruar kontekstin e politikës së jashtme, ne duhet të marrim më shumë njohje, ne duhet të aplikojmë dhe të anëtarësohemi në më shumë organizata ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Ambasadori britanik në Kosovë tha se mund të jenë 10 shtete që kanë tërhequr njohjet. A keni ju si Qeveri ndonjë njoftim zyrtar nga këto shtete?

Enver Hoxhaj: Unë nuk kam ndonjë informatë sepse raportet me shtetet i mban ministri i Jashtëm, zotëri (Behgjet) Pacolli dhe Ministria e Jashtme. Unë nuk jam në pozitë që të konfirmoj apo të mos konfirmoj, i takon Behgjet Pacollit që të ofrojë qartësi. Unë mendoj se çdo kush duhet ta mbështet Pacollin, MPJ-në, që ta bën punën e saj, por çfarë kemi nevojë është të lëvizim, të operojmë globalisht.

Koha në të cilën ne po jetojmë është fluide. Konteksti ndërkombëtar është goxha i çoroditur, po ndryshon çdo ditë. Elitat politike po ndryshohen në çdo zgjedhje të mundshme, të brendshme në vendet e caktuara. Prandaj, ne duhet të jemi aktiv, të kem miq të ri, t’i mobilizojmë miqtë e vjetër. Por, mbi të gjitha, t’i lidhim vendet për interesa të caktuar në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Ka një kohë të gjatë që Kosova nuk ka pranuar njohje të reja. Cilat janë arsyet për një gjendje të tillë statike në këtë proces?

Enver Hoxhaj: Unë mendoj që çdo situatë e brendshme, e favorshme, duhet të përdoret që ta ngrisim kërkesën tonë për njohje në vende të ndryshme të botës. Në kohën sa kam qenë ministër i Jashtëm, çdo situatë të brendshme, ne e kemi përdorur për njohje të Kosovës. Nëse kemi nënshkruar Marrëveshje të Stabilizim Asocimit, kemi lobuar në emër të kësaj marrëveshjeje. Nëse kemi nënshkruar marrëveshje me Serbinë, kemi lobuar në emër të këtyre marrëveshjeve.

Por, edhe kur ka situata të brendshme, të pafavorshme, diplomatit i takon që këto situata t’i shndërrojë në favor. Duhet të gjendet një argument i ri se si të penetron te një vend. Mendoj që njohjet mund të vijnë kur ka prani fizike, kur ka kontakte direkte, kur udhëtohet 300 ditë në vit në gjeografi të ndryshme, dhe nëse bilanci nuk është 10, 12, 15 njohje sa kam marrë unë brenda një viti sa kam qenë ministër i Jashtëm, mund të vijnë disa prej tyre. Nëse disa vende nuk e njohin Kosovën, mund ta japin votën që të anëtarësohesh në ndonjë organizatë.

Politika e jashtme, duhet të jetë më e aktive, më e gjallë, më e prerë, më e vendosur, por duhet të ndërthuren, të ndërlidhen interesat tanë dhe interesat e partnerëve tanë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, marrë parasysh problemet e krijuara në Kuvend për vendimmarrje, a është tash momenti që të ketë zgjedhje të parakohshme? Nëse jo, kur mund të kemi zgjedhje të tilla?

Enver Hoxhaj: Forcat politike në Kosovë, institucionet e Kosovës, liderët në institucione dhe në opozitë, duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi meqë Bashkimi Evropian e ka kushtëzuar të ardhmen e Serbisë, përmes normalizimit të raporteve me Kosovën. E ardhmja e Serbisë në BE kalon përmes Prishtinës. Duhet ta përdorim këtë shans të mundur.

Në këtë drejtim, nuk mendoj që 2018-a ose 2019a duhet të flitet për zgjedhje. Nuk është detyra e partive politike të organizojnë performanca zgjedhore çdo vit, por duhet t’i përmbushim disa prej pritjeve, sidomos kur e kemi dialogun, kur e kemi liberalizimin e vizave, kur e kemi FSK-në, është kërkesa më absurde, të mendohet që të ketë zgjedhje të parakohshme./REL

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Pas sulmeve kibernetike të ndodhura së fundmi në sistemin shtetëror, Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë ka konfirmuar se këto sulme

Ka dështuar mbledhja e sotme e Komitetit të CEFTA-s, që duhej të mbahej në Prishtinë, pasi delegacioni i Kosovës ka kundërshtuar që mbled

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të mblidhet gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar përsëri presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për idenë e tij për “korrigjim kufijsh mes Kosovës

Hungaria do të rrisë me së paku edhe 60 ushtarë numrin e pjesëtarëve të saj në KFOR, në Kosovë.

Moska shprehet se formimi i ushtrisë mund të ketë pasoja serioze për sigurinë në Ballkan.

Një grup prej 22 deputetësh të Parlamentit Evropian kërkuan të martën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave pa shtyrje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas vdekjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ua ka nisur një letër të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, e cila ndërlidhet