Të gjithë punonjësit e shëndetit në Kosovë të cilët humbën jetën nga Covid-19 do të dekorohen me medaljen presidenciale të meritave.

Ka qenë presidentja në detyrë, Vjosa Osmani që në një postim në Facebook ka bërë me dije këtë vendim, e cila teksa ka vlerësuar lartë kontributin e mjekëve, ka thënë se ceremonia e ndarjes së dekoratave do të mbahet ditëve në vijim.

“Mijëra punonjës shëndetësor u infektuan nga virusi Covid-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje.

Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne.

Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësor të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me Covid-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion.

Ceremoninë e ndarjes së dekoratave do ta organizojmë së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrim nga institucionet përgjegjëse.”– shkruan ajo