Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.

Në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme. Ish- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë”, njofton Këshilli Organizativ.

Gjatë vitit 1999, SHBA në krye me ish-Presidentin Bill Clinton kanë qenë protagonistët kryesorë në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO, që atëherë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.

Përveç ish-Presidentit Clinton, në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish-Sekretarja e SHBA-së Madeline Albright.