Komisioni Europian thotë se i takon Kosovës se kë do të zgjedhë si përfaqësues të saj në bisedimet e procesit të dialogut me Serbinë.

Zëdhënësja për politikën e jashtme, Virginie Battu-Henriksson nuk e komentoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi por tha se KE mbështet punën e Dhomës së Specializuar dhe të Zyrës së Prokurorisë Speciale.

Ajo shtoi se përkushtimi i Kosovës ndaj sundimit të ligjit është element i progresit të saj drejt integrimit drejt BE.

“Ne vazhdojmë të mbështesim fuqishëm punën e Dhomës së Specializuar dhe të Zyrës së Prokurorisë Speciale. Ky është një demonstrim i rëndësishëm i përkushtimit të Kosovës për sundimin e ligjit, i cili në vetvete është një element kyç i progresit të Kosovës në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe për ndërlidhjen e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Është veçanërisht e rëndësishme që ne të ritheksojmë këtë mbështetje. Sa i përket dialogut, ne presim që autoritetet e Kosovës të vazhdojnë të përmbushin përkushtimet e tyre në sundimin e ligjit. Lidhur me pjesëmarrësit, nuk i takon Bashkimit Europian të zgjedhë bashkëbiseduesit, por autoriteteve të Kosovës që të zgjedhin ata që i shërbejnë dhe përfaqësojnë më mirë interesin e vendit”, tha Battu-Henriksson.