Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, u ka nisur letra presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në të cilat është zotuar për thellim të bashkëpunimit, kur të formojë qeverinë e re në Kosovë.

Në letrën dërguar Erdoganit, Kurti ka thënë se turqit në Kosovë dhe shqiptarët në Turqi janë ura e miqësisë në mes të të dyja vendeve.

Ne vlerësojmë rolin e turqve në Kosovë dhe ata do të vazhdojnë të kenë rol të rëndësishëm edhe në qeverinë time”, ka thënë Kurti.

Në letrën dërguar Netanyahut, lideri i LVV-së ka përshëndetur arritjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, dhe se ky hap për Kurtin nënkupton mundësi “për të fuqizuar bashkëpunimin ekonomik, politik dhe kulturor”.

Kombi ynë ka respektuar historikisht komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, më vjen mirë që do të adresoj çështjet me rëndësi për komunitetin hebre dhe trashëgimin në shtetin tonë”, është thënë mes tjerash në letër.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, kanë zyrtarizuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi atë ditë ka deklaruar se ka miratuar kërkesën e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Së fundmi në Kosovë ka pasur debate lidhur me vendin se ku do të vendoset ambasada kosovare në Izrael. Ambasada turke në Prishtinë kishte kundërshtuar më herëthapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. /REL