Gjatë 24 orëve në Kosovë janë konfirmuar 14 raste të reja me koronavirus dhe dy pacientë të shëruar. Të dhënat janë bërë të ditura nga IKSHPK-ja, në bazë të 200 mostrave të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 9 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Gjilan dhe 1 rast Livoç i epërm), komuna e Prizrenit 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Prizren) dhe me 1 rast vendbanimet: Pejë, Studime e epërme-Vushtrri dhe Prishtinë.

Janë shëruar edhe dy pacientë duke ngritur kështu bilancin e përgjithshëm në 655.

Nga data 8 shkurt deri sot, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 9.934 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 884 raste, me gjithsej 28 persona që kanë humbur jetën, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese, shkruajne mediat kosovare.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 10 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4.156.014 raste të COVID-19 dhe 282.794 raste të vdekjes.