Konstituimi i Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë para datës 10 korrik. Të paktën kështu kanë paralajmëruar zyrtar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve PAN.

Sipas tyre, konstituimi i organit më të lartë legjislativ do të ndodhë në 10-ditëshin e parë të muajit korrik.

Në PAN janë bindur se nuk do të ketë vonesa në krijimin e institucioneve.

“Porsa t’i certifikoj KQZ rezultatet zgjedhore, dhe të kryhen proceduarat e nevojshme ligjore do të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit. Nuk kemi arsye qe të humbet kohë në këtë drejtim. Ka një ujdi mes partnerëve të koalicionit qe ky proces të ndodhë në afat rekord”, ka thënë ky zyrtar i lartë nga koalicioni PAN në kushte anonimiteti.

Po ashtu ai ka bërë se tanimë janë siguruar votat e nevojshme edhe për formimin e Qeverisë dhe nuk do të ketë nevoje për mandatar të dytë.

Koalicioni i përbërë nga PDK-AAK e Nisma në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit ka fituar 39 mandate në Kuvendin e Kosovës. Përveç votave të minoriteve, PAN llogarit edhe në disa vota të deputetëve nga AKR dhe LDK për të votuar Qeverinë.

Sipas marrëveshjes për koalicion parazgjedhor, posti i kryeministrit i takon AAK-së, posti i kryetarit të Kuvendit PDK-së, ndërsa Nisma e Fatmir Limajt do të ketë postin e zv-kryeministrit.