Nga muaji mars, kur u shfaq COVID-19 në Kosovë, e deri më tani, humbjet në ekonomi llogaritet të jenë të mëdha. Pandemisë nuk i ka shpëtuar asnjë sektor. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se nëse shtohen masat kufizuese, sektorë të ekonomisë do të shkojnë drejt kolapsit. Kriza e pandemisë në Kosovë ka rënduar pothuajse të gjithë sektorët e prodhimit në vend.

Sektorët që u prekën më së shumti për nga të hyrat e aktiviteteve ekonomike nga rënia e shpenzimit në tremujorin e dytë të 2020-s, ishin: ndërtimi me -47.08%, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor -24.4%, aktivitetet profesionale dhe administrative -16.39%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit -6.71% dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi -1.74%.

Kjo e dhënë del nga studimi i Institutit GAP, mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë e Kosovës, gjatë këtyre muajve përballje me të.

Ndërkaq, rritje reale të të hyrave kanë shënuar aktivitetet si: industria nxjerrëse, ajo përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë me 19.8%, informacioni dhe komunikacioni 29.6%, si dhe administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia me 4.73%.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11% më pak të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Nga kjo shumë, më së shumti ndikim pati rënia e qarkullimit të aktiviteteve të tregtisë dhe riparimit të mjeteve motorike me minus 241.5 milionë më pak të hyra, ndërtimtaria me -77.2 milionë, transporti dhe magazinimi me -72 milionë, industria përpunuese me -54.2 milionë më pak të hyra. Rënia e qarkullimit të bizneseve ka ndikuar edhe në të hyrat tatimore”.

Ekonomia po goditet, Kosova drejt kolapsit

Performanca e dobët e industrive në gjashtëmujorin e parë ndërlidhet më së shumti me mbylljen e ekonomisë për më shumë se dy muaj, e më pas hapja graduale e disa industrive deri në muajin qershor. Hapja e bizneseve në mënyrë jo të sinkronizuar ka paraqitur pengesa në realizimin e të hyrave optimale, duke marrë parasysh zinxhirin e furnizimit ku prodhimi i një industrie mund të jetë lëndë e parë për industrinë tjetër.

Në këtë situatë ekonomike, disa industri do të pësojnë më shumë se sa të tjerat, vlerësojnë nga GAP-i. Në këtë kategori bëjnë pjesë industria e ndërtimit, patundshmërisë, arteve, argëtimit dhe rekreacionit.

“Kjo për faktin se qarkullimi i industrive në Kosovë realizohet në formë ciklike, ku secila industri në periudha të ndryshme të vitit realizon të hyrat më të larta. Industritë që normalisht realizojnë pikun e të hyrave gjatë tremujorit të dytë, këtë vit do ta kenë më të vështirë rikuperimin e humbjeve sepse periudha më e rëndësishme e vitit i gjeti pothuajse tërësisht të mbyllura”, thuhet në raport.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se nëse shtohen masat kufizuese ndaj Covid-19, pa zbatim të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, sektorë të ekonomisë do të shkojnë drejt kolapsit.

Ai ka thënë se shtetet që po mbyllen kanë siguruar fondet dhe buxhetet për të përkrahur sektorët e ekonomisë të cilat po goditen nga masat parandaluese anti-Covid-19.

“Shtetet qe po mbyllen prape (ne tërësi, apo pjesërisht), kane siguruar fonde dhe buxhete për te përkapur sektorët qe po goditen nga masat parandaluese anti-COVID.”, shkruan ai.

“E ne? As një ligj bazik për rimëkëmbjen, nuk po arrijmë ta miratojmë me jave te tera. Çdo plan për masa kufizuese te reja (nëse shfaqet nevoja për to), duhet te përcjellët me zbatim urgjent te Ligjit te Rimëkëmbjes dhe me fonde shtese për përkrahje te sektorëve me te goditur. Ne te kundërtën, KOLAPS”, shton Rukiqi.

Gjatë muajve prill-qershor 2020, industria e ndërtimit deklaroi 37% më pak të hyra, aktivitetet e patundshmërisë -40%, ndërsa industria e arteve, argëtimit dhe rekreacionit -85% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Këto janë të hyra të humbura që nuk mund të rikuperohen lehtë brenda vitit sepse piku i këtyre industrive ka kaluar. Prandaj vonesat në implementimin e masave mbështetëse nga qeveria dhe Banka Qendrore mund të rrezikojnë edhe të hyrat e industrive të tjera gjatë muajve të ardhshëm të vitit, thonë tutje nga GAP-i.

Pandemia shkaktoi rënie të prodhimit

Masat parandaluese të pandemisë COVID-19 shkaktuan rënien më të lartë të prodhimit vendor që nga paslufta duke bërë që Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të 2020-ë të bjerë me 9.28%.

Kështu thuhet në raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në ekonominë e Kosovës“, prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP).

Në këtë raport, paraqitet ecuria e komponentëve kryesor të PBB-së dhe indikatorët tjerë makroekonomik në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, me qëllim që të pasqyrojë ndikimin e kësaj krize në të gjithë sektorët ekonomik të vendit.

“Situata emergjente ndikoi në ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve ku ekonomitë familjare ngritën shpenzimet për produkte bazike, ndërsa reduktuan shpenzimet joesenciale. Aktivitetet ekonomike të cilat shënuan rritje në tremujorin e dytë ishin industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë me 19.8% dhe informacioni dhe komunikimi me 29.6%. Ndërkohë rënie të të hyrave patën të gjitha industritë e tjera. Rënia më e lartë u shënua në industrinë e ndërtimit me 47.08%, dhe tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomia me 24.4%. Po ashtu. gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti industritë deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11% më pak qarkullim në Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

Qeveria e Kosovës miratoi Pakon e parë Emergjente Fiskale me vlerë prej 190 milionë euro dhe propozoi riorientimin e shpenzimeve buxhetore, nga kategoria e shpenzimeve kapitale në kategorinë e pagave, transfereve dhe subvencioneve. Megjithatë, kjo pako nuk arriti të zbatohej në tërësi në tremujorin dytë dhe për këtë arsye shumë qytetarë dhe biznese nuk morën ndihmën në kohën e duhur.

Si rezultat në gjashtëmujorin e parë shpenzimet ishin vetëm 18.8 milionë euro ose rreth 2% më të larta se në gjashtëmujorin e parë të vitit paraprak. Riorientimi i buxhetit si masë e vetme pa rritur borxhin publik do të jetë i padobishëm në mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike. /Monitor