Kosova po vazhdon të marrë rekomandime pozitive nga institucione të Bashkimit Evropian (BE) për liberalizimin e vizave, por qytetarët po vazhdojnë të mos kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen.

Për gati një dekadë politikanët kanë dhënë data të ndryshme për liberalizimin e vizave, mirëpo qytetarët e vendit ende vazhdojnë të mbesin të izoluar.

Dy javë më parë, Parlamenti Evropian me një shumicë votash për herë të dytë rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes së euruparlamentarëve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen, që do të jetë i vlefshëm edhe në përbërjen e ardhme të Parlamentit, pas zgjedhjeve që do të mbahen në muajin maj.

Mirëpo edhe pas kësaj heqja e vizave për Kosovën “është bllokuar” te Këshilli i Ministrave, organ ky i cili ende nuk ka dalë me një vendim për heqjen e tyre, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ndërsa krerët e institucioneve të Kosovës pre një viti thonë se i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për heqjen e vizave, opozita në anën tjetër thotë se qytetarët e Kosovës po mashtrohen dhe manipulohen për heqjen e vizave.