Marrëveshja për demarkacionin e kufirit e arritur mes Mali Zi dhe Kosovës, pritet që së shpejti të shkojë në Kuvend për t’u votuar. Kryeministri Haradinaj disa javë më parë kërkoi nga deputetët të votojnë atë.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj shpjegon se si do të votohet në Kuvend, vetëm marrëveshja e arritur, apo edhe raporti i Komisionit të ri.

“Marrëveshja është nënshkruar në mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe si e tillë do të shkojë në Kuvend, do të shohim se si do të votohet në Parlament”, tha ajo

Kadrijaj thotë se javën e ardhshme pritet të dërgohet në Komision për t’u analizuar dhe më pas të procedohet në kuvend.

Ndërsa anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Zenun Pajaziti thotë se Komisioni i ri nuk ka dërguar asgjë të re në raport.

“Ky komision nuk ka mandat për marrëveshje të re. E ka marr mandatin për ta shikuar punën e komisionit paraprak. Për mendimin tim është gabim, sepse ai ka qenë komision shtetëror. Ka qenë një komision i cili ka përgatit një marrëveshje, po ashtu ka qenë një komision tjetër ndërkombëtar që e ka aprovu punën e atij komisioni”, tha Pajaziti.

“Ne si PDK e kemi pasur një qëndrim në lidhje me këtë dhe nuk e kemi ndryshuar. Është përgjegjësi e kryeministrit dhe e gjithë spektrit politik që ta analizoj gjithë situatën dhe të veproj në përputhje me interesin qytetar”, tha ai.

Në mandatin e kaluar qeverisës, që ishte i përbërë nga PDK, Lista Serbe dhe LDK, marrëveshja e demarkacionit as që u nxor në votim për shkak se opozita, pjesë e së cilës ishte vet Ramush Haradinaj, patën përdorur edhe gazin lotsjellës për ta penguar atë, njofton Tribuna.