Sot kanë filluar punimet në rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit. Ky projekt u cilësua i një rëndësie të veçantë pasi e lidh Kosovën me shtetet e rajonit.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili foli për rëndësinë e këtij projekti duke shtuar se infrastruktura është parakusht i zhvillimit ekonomik. Ai theksoi se Kosova ka ngecur në infrastrukturën hekurudhore.

Për këtë, shefi i ekzekutivit kërkoi linja të veçanta hekurudhore për në Shqipëri dhe Mal të Zi.

“Kosova mund të mburret për infrastrukturën rrugore, por ngecim në infrastrukturën hekurudhore. Ka qenë i domosdoshëm rehabilitimi i kësaj linje. Një aspekt që na sfidon është infrastruktura energjetike dhe infrastruktura ujore. Kosovës do t’i duhet të ketë rezerva të ujit, siç ishte rasti i Gjilanit. Sot po niset rikthimi i linjës hekurudhore për në Han të Elezit. Ne kemi linje hekurudhore me Serbinë dhe Maqedoninë, por jo me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është me interes që të ketë një linjë Prishtinë-Durrës. Ne na mungon po ashtu dhe infrastruktura e gazit natyror”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se ky projekt është i rëndësisë së veçantë dhe premtoi dhe linjat tjera të cilat pritet të implementohen në vitet në vazhdim.

“Sot po fillojmë një projekt që i kthen qytetarët në transportin hekurudhor. Nga këtu e në drejtim të Hanit të Elezit po fillon faza e parë e udhëtimeve në vlerë prej 71 milion eurove. Është një segment që i lidhë qytetarët dhe kufijtë. Ne kemi edhe linjën për Podujevë e Aeroport. Mendoj që duhet ta zhvillojmë edhe linjën me Shqipërinë. Kosova ngadalë po bëhet destinacion për transit i shumë qytetarëve të Evropës”, tha Lekaj.

Përfaqësuesi i BE-së, Luigi Brusa foli për rëndësinë e granteve të BE-së në rajon, ku tha se nga gjithë shuma e këtyre granteve Kosova ka përfituar 10% apo rreth 100 milionë euro.

Ky projekt për të është i rëndësishëm, pasi po i lidh vendet e rajonit dhe do të rrisë kapacitetin e mallrave.

Brusa, po ashtu tha se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë projektet në Kosovë, por kërkoi që të zbatohen dhe masat e tjera paraprake dhe reforma në sfera të ndryshme.

Shefi i zyrës së BEZH-it, Neil Tayler tha së deri me tani kanë investuar me miliona euro në Kosovë dhe theksoi se janë të kënaqur me këtë projekt.

Kjo linjë do ju mundësojë lidhjen me pjesën tjetër të Evropës, deri më tani kemi investuar gati rreth 400 milionë euro prej që është bërë Kosova pjesë e BERZH-it në vitin 2012. Përkundër disa vonesave të caktuara sot po tregojmë që treni tashmë është duke lëvizur pa ndalë në Kosovë. Në fund projekti do të ketë një ndikim pozitiv fiskal. Shpresoj që ky projekt do të shërbejë si një eksperiencë e mirë”, tha ai.