Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja, Vjosa Osmani i kanë dërguar një letër organizatës Europa Nostra, ku tregojnë arsye pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të qenë pjesë e programit “Shtatë monument më të rrezikuara”.

Letra e dëguar nga Kurti dhe Osmani mban datën 18 mars, por është publikuar sot. Në atë kohë Kurtit e Osmani, nuk kishin marrë detyrat zyrtarisht dhe shkruanin se sulmet e pretenduara ndaj manastirit nuk ekzistojnë dhe ndaj nuk duhet të përfshihet në programin e monumentet më të rrezikuara.

“Pas vlerësimit të argumenteve të shpalosura në tekstin e nominimit, kemi identifikuar një numër konstatimesh të paqëndrueshme. Për këtë arsye, kemi dëshirë t’ju pajisim me informacion të bazuar zyrtar për të argumentuar bindjen tonë të thellë që Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kushtet për t’u përzgjedhur si njëri nga monumentet e listës finale“, shtohet në letër.

Po ashtu në letër theksohet se brenda sistemit të trashëgimisë kulturore, monumenti ka rëndësi të veçantë dhe vlera kulturore të jashtëzakonshme.

“Megjithatë, ky nominim nuk e plotëson kriterin më të rëndësishëm të programit tuaj, atë që lidhet me argumentimin e rrezikut serioz që i kanoset monumentit“, vijon letra.