Pas deklaratës së zyrtarëve amerikanë Richard Grenell dhe Matthew Palmer për mosekzistencën e një plani të fshehtë për ripërcaktim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, një reagim ka ardhur nga zyra e Albin Kurtit, tashmë Kryeministër në detyrë.

Sipas një komunikate të bërë publike, zyra e Kryeministrit shprehet se vlerëson këtë deklaratë duke e cilësuar një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. E ndërsa ndalet edhe tek heqja e tarifës për produktet e lëndës së parë, Kurti shton se thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç për korrigjim kufijsh vazhdojnë të jenë kërcënim. Në komunikim, zyra e Kryeministri thekson edhe një herë qëndrimin që dialogu Kosovë- Serbi duhet të udhëhiqet nga qeveria dhe Kryeministri.

Komunikata e plotë:

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës e vlerëson Deklaratën e Përbashkët nga i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, si rikonfirmim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë pranë popullit të Kosovës, dhe se ato mbështesin angazhimin e institucioneve tona shëndetësore për tejkalimin e situatës me COVID-19. Në të njëjtën kohë, thirrjet e tyre për t’u respektuar Kushtetuta, çmohen po aq lart.

Mbi çështjen e tarifës, me vendimin e Qeverisë së datës 20.03.2020 kemi bërë një hap të rëndësishëm duke liruar nga tarifa 100% produktet e lëndës së parë të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Për Qeverinë në detyrë të Republikës së Kosovës është tejet i rëndësishëm fakti se në Deklaratën e Përbashkët thuhet se nuk ekziston një plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë.

Kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar.

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga Qeveria, përkatësisht Kryeministri i Republikës së Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjelltë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon.