Kryetari i LDK-së në Kosovë, Isa Mustafa e konsideron të papranueshëm shkarkimin nga detyra të ministrit të Brendshëm të Kosovës Agim Veliu nga radhët e LDK.

Në një postim në Facebook, Mustafa thotë se shkarkimi i Veliut është shkelje e marrëveshjes së koalicionit me Vetëvendosjen.

“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe çojnë në prishje të koalicionit.”, shkruan ai.