02/12/2020 - 15:59
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani është shëruar nga Covid-19.
Lajmin e ka dhënë vetë Osmani përmes një videomesazhi në Facebook ku bën me dije se është rikthyer në zyrë pas dy javësh në izolim.
"Jam rikthyer në zyre pas një izolimi dyjavor për shkak të virusit Covid-19. Kam bërë thirrje gjithnjë, e tani pas ekperiencës time dhe të familjes time me virusin, ju lutem sërish që të bëni kujdes të shtuar e të vazhdueshëm. Tashmë virusi është çdoku. Ne ishim me fat ta luftojmë virusin me sukses, por, fatkeqësisht, ky nuk është fati i të gjithëve. Ky fundvit le të na shërbejë për të reflektuar mbi atë se çfarë çmojmë më së shumti në jetë, çka na bashkon, dhe çka na jep motiv të dalim triumfues ndaj këtij armiku të përbashkët. Të vlerësojmë e të jemi falënderues për njerëzit që janë në jetët tona, e mënyra më e mirë për t’u dëshmuar dashurinë e respektin në këto kohë është duke mbajtur distancën, pastruar duart, e duke mbajtur maskën. Të gëzojmë bekimet tona duke treguar kujdes. Duke u kujdesur për veten, kujdesemi edhe për të tjerët. Prandaj, edhe njëherë distanca, duart, maska!", tha Osmani.
/portali DurresLajm/