Kanë mbërritur në Prishtinë 4 680 dozat e para të vaksinës, pjesë e kontigjentit prej 95 mijë dozash, që Bashkimi Europian do të shpërndajë për Kosovën. Është fjala për vaksinën Pfizer dhe lajmin e ka bërë të ditur  Ambasada e Austrisë në Kosovë përmes një njoftimi për mediat.

“Ambasada Austriake në Prishtinë është shumë e gëzuar, që sot ka arritur në Prishtinë sasia e parë e 95.000 dozave të vaksinës BionTech/Pfizer, të cilat janë financuar nga Bashkimi Evropian, dhe janë siguruar nga Austria. Me 4.680 dozat që kanë arritur sot ka filluar furnizimi i Kosovës me vaksinat, të cilat do shpërndahen deri në fund të gushtit. Kjo do kontribuojë në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ndërkohë një sasi prej 651,000 doza të vaksinës BioNTech/Pfizer është llogaritur për Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur rajonin në vaksinimin e personelit shëndetësor në front të parë si dhe persona nga grupe më të rrezikuara.