Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, respektivisht Agjencia e Regjistrimit Civil, ka njoftuar se në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve dhe në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 disa zyrtarë të këtyre qendrave.

MPB njofton se për shkak të rrezikut nga përhapja e COVID-19, është marrë vendim që Qendra për Regjistrimin e Automjeteve dhe Qendra për pajisje me Dokumente në Prishtinë të pezullojë ofrimin e shërbimeve me palë.

“Deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të këtyre dy qendrave, të gjitha shërbimet e Regjistrimit të Automjeteve do të bëhen në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve të rajonit 01 në komunat: Fushë Kosovë, Obiliq, Podujevë, Graçanicë, Lipjan dhe Drenas. Gjithashtu, aplikimet e rasteve për pajisje me dokumente mund të bëhen nëpër Qendrat për Pajisje me Dokumente të komunave më të afërta, në përjashtim të rasteve mjekësore dhe tërheqjes së dokumenteve të gatshme, të cilat vazhdojnë të kryhen në QPD-në Prishtinë, ndërsa shërbimet për vula apostile/verifikuese ofrohen vetëm për raste mjekësore dhe emergjente”, thuhet në njoftim.