Kancelarja gjermane, Angela Merkel i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa në të cilën ka shfaqur shqetësimin për debatin rreth ndryshimit të kufijve.

Kështu bën të ditur Lidhja Demokratike e Kosovës në një njoftim për media.

Sipas LDK-së, në letër Merkel  e falënderon kryetarin e LDK-së, për shkresën e 28 Shtatorit me të cilën e kishte njoftuar lidhur me qëndrimet e tij rreth dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së..

“Kancelarja Merkel thekson se “edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell mebrengosje të madhe”, porosit Kancelarja Merkel”.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave të adresuar nga shkresa e kreut të LDK-së ajo shkruan: “Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”.

Bëhet e ditur se Mustafa e kishte njoftuar kancelaren gjermane si dhe Ministrat e Punëve të Jashtme të të gjitha vendeve të BE-së lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një reflektim në këtë letër Kryetari Mustafa e pranoi para disa ditësh edhe nga Ministri për Punë të jashtme dhe tregti të Hungarisë, z. Peter Szijarto.