Misteri i zarfeve me votat nga Serbia nuk ka përfunduar ende. Ndonëse pacientet që patën reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve lanë spitalin, analizat laboratorike tregojnë se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkaktar infektiv.

Ndërkohë, Prokuroria e Kosovës ka dërguar zarfet për ekzaminim në një laborator në Evropë, ndërsa KQZ nuk ka një vendim të prerë se çfarë do të ndodhë me këto zarfe.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Linda Ajazaj-Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët kanë lënë spitalin në gjendje të mirë shëndetësore.

"Gjendja shëndetësore, në momentin kur i kemi lejuar të dalin pacientët, ka qenë e mirë. Ne i kemi përjashtuar sëmundjet apo shkaktarët infektivë. Me të tjerat mbetet të merren organet tjera të hetuesisë që kanë filluar me procedura".

Më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht kanë qenë 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 prej tyre kanë përfunduar të shtruar në spital.