Ndonëse kanë kaluar disa vjet që nga vrasja e ish-kandidatit të PDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e 2014, Elvis Pista, ende nuk dihen motivet dhe kryerësit e vrasjes.

Nëna e tij, Hidija Pista, vazhdon që ta kujtojë me mall djalin e vetëm që i vranë, raporton KTV. Ajo shprehet e zhgënjyer me institucionet e drejtësisë, pasi për 5 vjet nuk është zbuluar asnjë gjurmë për vrasjen e djalit. Pista më tutje, tregon se për këto vite, askush nuk u interesua për të, madje as anëtarët e partisë në të cilën ishte Elvis Pista.

Prokuroria Themelore e Gjakovës lidhur me rastin, është përgjigjur vetëm me dy fjali. “Rasti i vrasjes së Elvis Pistës është ende në hetime. Ju lajmërojmë për veprimet e reja, lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjakovës.

Elvis Pista atëherë 34 vjeç, posa kishte dalë nga restoranti bashkë me bashkëshorten dhe shokun i cili ishte po ashtu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, është qëlluar në shpinë dhe sipas raporteve zyrtare, ai ka marrë katër plumba nga një largësi pesë metërshe.