Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo i ka dërguar një letër urimi, kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për marrjen e këtij posti.

Njoftimi erdhi nga zyra e shefit të qeverisë së Prishtinës që publikoi dhe përmbajtjen. “Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë”, shkruan Pompeo duke shtuar se kjo është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë.

Ndërkohë, raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Viola von Cramon-Taubadel e sheh me skepticizëm, takimin Prishtinë-Beograd në Uashington.

Ndonëse tha se nuk pritet të ketë marrëveshje përfundimtare gjatë këtij organizimi, ajo kërkoi kujdes nga palët, duke thënë se nuk dihet çfarë drejtimi do të marrë dialogu në takimin e 27 qershorit. Eurodeputetja pohoi se Kosova po instrumentalizohet për fushatën presidenciale të presidentit Donald Trump për të arritur publicitet për çështje elektorale.