Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur fillimin e kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së nga Gjermania.

Ish-kryeministri Haradinaj shkruan në një postim në rrjete sociale se shpreson se nën kryesimin e Gjermanisë, Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave.

POSTIMI I PLOTË

Që sot, Gjermania kryeson Presidencën e Këshillit të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Shteti gjerman me konsistencë ka mbështetur Kosovën drejt pavarësisë dhe shtetndërtimit, prandaj kryesimi i BE-së nga një aleat si Gjermania, përbën lajm të mirë për qytetarët e Kosovës. Kancelarja Merkel si askush tjetër në BE i kupton nevojat e Kosovës që janë ndrydhur për një kohë të gjatë, si pasojë e politikave të ngadalta të Bashkimit Evropian. Nuk kam dyshim që përgjatë mandatit gjashtëmujor të Gjermanisë në krye të BE-së, një energji e re do ta përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe do t’i çojë përpara proceset integruese të Kosovës në organizatat dhe institucionet e Bashkimit Evropian.

RH