Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është ka takuar sot Ramush Haradinajn, kandidatin e koalicionit fitues të zgjedhjeve në Kosovë, PAN.

Pas takimit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj tha se Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet javën që vjen, megjithatë data nuk është caktuar ende.

“Po besoj shumë shpejt, pra menjëherë në javën që vjen, sepse nuk kemi nevojë me hup shumë kohë. Janë ato procedurat e sekretariatit të Kuvendit që duhet t’i kryej, me i regjistru deputetët, por jam i interesuar mos me humbë kohë. Ju e dini interesimin tonë që edhe qeveria të votohet menjëherë, pra të mos vonohet.”

“Nuk arritëm te një vendim i qartë, por ishte në atë interesim që me u pa me bisedu se kur dhe si do të mund të thirret seanca,” është shprehur Haradinaj për KTV-në.

Klan Kosova tha se pas takimit, presidenti Hashim Thaçi nuk është deklaruar për rezultatet e takimit.

Në takim ka marrë pjesë edhe deputeti dhe nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Përveç koalicionit PAN (PDK, AAk dhe NISMA), edhe Vetëvendosja pretendon ta krijojë qeverinë e re me argumentimin se është partia më e votuar në vend.