Kuvendi i Kosovës do të mblidhet ditën e sotme në një seancë të jashtëzakonshme plenare.

Legjislativi ka njoftuar se seanca është thirrur për në orën 11:00. Kjo mbledhje do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës e që është shqyrtimi i raportit të Komisionit hetimor parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë (6) shtetasve turq me datën 26 mars 2018. Seanca është thirrur nga LDK-ja, me përkrahje të partive të tjera opozitare dhe disa deputetëve të pavarur.

“Me mbështetje të partive opozitare dhe disa deputetëve të pavarur, sot kemi dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme parlamentare për shqyrtimin dhe votimin e Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq”, thuhej në njoftimin e LDK-së.

Sipas këtij subjekti politik, të gjeturat nga ky komision hetimor, si dhe raporti i plotë janë miratuar nga Komisioni pas shumë shtyrjeve.

Më 15 maj 2019, me 7 vota për Komisioni Hetimor Parlamentar për dëbimin e 6 shtetasve turq në mars të vitit të kaluar, ka miratuar raportin e punës së tij, përmbajtje kjo e cila është nxjerr nga intervistat që Komisioni i ka bërë me zyrtarë institucional dhe persona të tjerë lidhur me rrethanat e depërtimit.